Operatori i Shpërndarjes së Energjisë (OSSH) parashikon që të investojë gati 20 milionë euro gjatë vitit 2026 për përmirësimin e infrastrukturës energjetike në zonat turistike të vendit.

Në dokumentin e paraqitur pranë Entit Rregullator të Energjisë(ERE) ku është plotësuar dokumentacioni i rifreskuar dhe bërë i aksesueshëm këto ditë, parashikohet që investimet të jenë saktësisht 1.96 miliardë lekë dhe synojnë disa drejtori në vend që përfshijnë zona turistike ku pjesën më të madhe të fondeve e merr Vlora.

Konkretisht ndërhyrjet në zonat turistike parashikojnë projekte për rritjen e kapaciteteve të rrjetit, ndërtimin dhe rikonstruksionin e linjave të tensionit të mesëm dhe të ulët, si dhe modernizimin e nënstacioneve që mbulojnë zona të njohura për fluks të lartë turistësh.

Vetëm për nënstacionet parashikohet një fond 660 milionë lekë apo mbi 6.6 mln euro ndërkohë që ndërtimi dhe rikonstruksioni i linjave të tensionit të lartë do të marrë 250 mln lekë apo mbi 2.5 mln euro.

Sa i takon drejtorive rajonale Vlora do të marrë 400 mln lekë apo mbi 4 milionë euro, Durrësi 271 mln euro dhe Shkodra 184 milionë lekë.

Dokumenti është pjesë e një plani disavjeçar investimesh të OSSH i cili sjell në vëmendje se vetëm gjatë 2023-2026, parashikohen mbi 9 miliardë lekë apo 90 milionë euro investime për përmirësimin e infrastrukturës në zonat turistike. Përmirësimet synojnë rajone si Vlora, Shkodra, dhe Korça, duke u ofruar vizitorëve dhe bizneseve turistike një furnizim të qëndrueshëm me energji.

Kjo masë vjen si përgjigje ndaj kërkesave në rritje të energjisë për sektorin e turizmit siç citohet edhe nga të dhënat e OSSH diçka që korrespondon në fakt edhe me ecurinë pozitive të sektorit me rritje nga viti në vit nga hyrja e shtetasve te huaj.

Edhe kërkesa për energji është rritur vit pas viti dhe sipas OSSH, energjia e injektuar në rrjetin e OSSH-së për vitin 2022 ka qenë 7,398 GWh, për vitin 2023 ka qenë 7,578 GWh. për vitin 2024 ka qenë 7,881 GWh, për vitin 2025 ka qenë 8,251 GWh. “Siç rezulton nga të dhënat, kemi një rritje mesatare reale të kërkesës për energji prej 3.57%, për vitet 2022-2025), e cila është kryesisht e përqendruar në qendrat urbane të mëdha si Tirana, Durrësi dhe Fieri, si dhe në zonat turistike ku dinamika e zhvillimit ekonomik dhe urbanistik është më intensive” thuhet në dokument./Monitor

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *