Prokuroria e Posaçme në aksionin e fundit kundër AKSH-it ka vënë më sekustro edhe një mjet lundrues i cili i përket biznesmenit Ermal Beqiri.
Sipas SPAK mjeti është importuar nga Ermal Beqiri sipas deklaratës doganore me nr. në vlerën 930 000 EUR, pa taksa. Më datë 13.06.2025 Ermal Beqiri ja ka dhuruar mjetin shtetases Xhenila Tamizi.
Lidhur me këtë rrethanë më datë 26.02.2026 është pyetur shtetasja Xhenila Tamizi e cila ndër të tjera ka deklaruar se: “Kam qenë e punësuar nga shtetasja Arjola Koromani, por dhe Ermal Beqiri, tek shoqëritë Soft & Solution dhe Horizon, ku jam aktualisht administratore… Dua gjithashtu të shtoj faktin se rreth vitit 2025 shtetasi Ermal Beqiri, ka blerë një jaht nuk e mbaj mend se ku. Mesa kuptova, Ermalin e kishin këshilluar që do të ishte më e kollajshme për lëvizjen e mjetit lundrues, nëse do të kishte pronar një shtetas të Bashkimit Europian. Duke qenë se unë jam me pashaportë bullgare, ai vendosi të ma dhurojë mua jahtin. Për historinë e jahtit, unë kam të gjitha email-et dhe korrespondencat me kompaninë shitëse, me zyrën e avokatisë në Maltë, të cilat do t’i nxjerr dhe do t’jua dorëzoj në një moment tjetër”.
Nga deklarimet e kësaj shtetase rezulton se kontrata e dhurimit është bërë me qëllim për të fshehur pronësinë e tij mbi jahtin.
