Presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, e vlerëson organizimin e Turit të 83-të Çiklistik të Shqipërisë si një moment kyç jo vetëm për sportin, por edhe për imazhin ndërkombëtar të vendit.

Ai thekson se ky event, që zhvillohet nga 18 deri më 22 maj 2026 dhe mbledh 20 skuadra elitare nga Ballkani dhe Europa është një dëshmi konkrete e zhvillimit gradual të çiklizmit në Shqipëri.

Sipas tij, rritja e standardeve organizative, pjesëmarrja ndërkombëtare dhe ekspozimi mediatik janë tregues se sporti po hyn në një fazë të re profesionalizmi.

Në një këndvështrim më të gjerë, Anxhaku nënvizon se zhvillimi i çiklizmit lidhet drejtpërdrejt me promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik.

Rrugët ku zhvillohet gara përshkojnë zona me bukuri të veçanta natyrore dhe kulturore, duke ofruar një “vitrinë” të hapur për publikun vendas dhe të huaj. Pamjet që transmetohen gjatë etapave shërbejnë si një reklamë autentike për peizazhet shqiptare, duke nxitur interesin për turizëm aktiv, aventurë dhe eksplorim.

Po ashtu shton se çiklizmi ka potencial të madh për të ndikuar në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, pasi promovon lëvizjen në natyrë, përdorimin e infrastrukturës rrugore dhe ndërgjegjësimin për mjedisin. Në këtë mënyrë, eventi nuk është vetëm një garë sportive, por edhe një platformë për të lidhur sportin me ekonominë lokale, kulturën dhe promovimin ndërkombëtar të Shqipërisë.

Në përfundim, ai e konsideron Turit Çiklistik të Shqipërisë si një simbol të bashkimit të sportit me zhvillimin e vendit, duke i bërë thirrje publikut dhe institucioneve që të vazhdojnë ta mbështesin këtë traditë, e cila jo vetëm nxjerr në pah kampionët e së ardhmes, por edhe forcon identitetin sportiv dhe turistik të Shqipërisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds