Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u ka rikujtuar tatimpaguesve që përfitojnë nga skema e faljes me kusht të detyrimeve tatimore, afatet që duhet të respektojnë për të përfituar nga lehtësitë fiskale.

Sipas Tatimeve, data 30 nëntor 2026 është afati i fundit për heqjen dorë nga procesi i ankimit administrativ ose gjyqësor.

Ndërkohë, deri më 31 dhjetor 2026, tatimpaguesit duhet të paguajnë 75% të detyrimit principal për periudhën 2015–2019, në mënyrë që të përfitojnë shuarjen e 25% të principalit, si dhe fshirjen e plotë të gjobave dhe kamatëvonesave.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u bën thirrje tatimpaguesve të respektojnë afatet ligjore për të përfituar nga lehtësitë fiskale të parashikuara në kuadër të kësaj skeme.

Ligji për faljen e detyrimeve tatimore hyri në zbatim në vitin 2026 dhe synon të pastrojë një pjesë të stokut të vjetër të borxhit tatimor, të rrisë arkëtimet dhe të lehtësojë barrën e detyrimeve të akumuluara për bizneset dhe tatimpaguesit.

Ligji nr. 86/2025 parashikon fshirjen ose shuarjen e një pjese të detyrimeve tatimore të papaguara, si dhe të gjobave e kamatëvonesave, me kushte të ndryshme në varësi të periudhës së detyrimit.

Për detyrimet e krijuara deri më 31 dhjetor 2014, parashikohet fshirja e plotë e detyrimeve tatimore, së bashku me gjobat dhe kamatëvonesat. Përjashtim bëjnë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, për të cilat nuk fshihet principali.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds