Turneu prestigjioz “World Boxing Cup – Brazil 2026”, që po mbahet në Foz do Iguaçu nga 20 deri më 27 prill, ka mbledhur 342 boksierë nga 49 shtete, duke shënuar një rekord pjesëmarrjeje dhe duke u kthyer në një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit në boksin ndërkombëtar.

Në këtë garë, mbrëmë (21 prill) në ring u paraqit boksieri kosovar Shpëtim Bajoku në kategorinë 65 kilogramë, i cili pësoi humbje ndaj kanadezit Gabriel Labrie. Ky duel ishte pjesë e fazës së parë të turneut, ku konkurrenca është tejet e fortë për shkak të rëndësisë së pikëve që ndahen.

Ndërkohë, sot (22 prill) është radha e boksieres Donjeta Sadiku, e cila garon në kategorinë 60 kilogramë. Ajo e kaloi raundin e parë pa luftë dhe do të përballet me boksieren nga Zelanda e Re, Jordan Wilson, në kërkim të një rezultati pozitiv për Kosovën.

Kjo Kupë Botërore ka peshë të veçantë, pasi pikët e fituara ndikojnë drejtpërdrejt në kualifikimin për Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”, duke e bërë çdo duel vendimtar për rrugëtimin drejt Olimpiadës. /KosovaPress

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds