Mbi 25 mijë persona janë dëbuar nga Shtetet e Bashkuara drejt vendeve të treta, me të cilat nuk kanë lidhje, sipas një hetimi të “Forbidden Stories”. Deri më 31 gusht 2026, 25 mijë e 447 persona janë dërguar në 35 vende, ndërsa SHBA ka parashikuar 410 milionë dollarë për qeveritë dhe organizatat e përfshira. Procesi ka ngritur shqetësime ligjore për fatin e migrantëve pas mbërritjes në vendet pritëse.

Më shumë se 25 mijë persona janë dërguar nga Shtetet e Bashkuara drejt vendeve të treta, pasi nuk mund të riktheheshin ligjërisht në shtetet e tyre të origjinës.

Sipas hetimit të “Forbidden Stories”, deri më 31 gusht 2026, numri i personave të dërguar jashtë SHBA-së ka arritur në 25 mijë e 447, në 35 vende të ndryshme.

Rreth 20 mijë prej tyre janë dërguar në Meksikë, ndërsa pjesa tjetër në vende të Amerikës Latine, Afrikës dhe Paqësorit.

Skema u ngrit pas ardhjes së Donald Trump në pushtet, në janar 2025. Sipas marrëveshjeve, vendet pritëse pranojnë persona që SHBA nuk mund t’i kthejë në vendet e origjinës.

Për këtë proces, Uashingtoni ka parashikuar 410 milionë dollarë. Sipas dokumenteve të Departamentit të Shtetit, 81 milionë dollarë janë caktuar për qeveritë nënshkruese, ndërsa pjesa tjetër për IOM dhe UNHCR.

Marrëveshjet ndryshojnë nga njëri shtet në tjetrin. Ato përcaktojnë kombësitë që mund të dërgohen dhe, në disa raste, nëse pranohen edhe persona me precedentë penalë.

Në Palau, marrëveshja parashikon pranimin e deri në 75 personave kundrejt 7.5 milionë dollarëve, por deri tani janë dërguar vetëm tre. Në Esvatini, nga 160 persona të parashikuar, kanë mbërritur 32.

Procesi është menaxhuar nga një njësi e Departamentit të Shtetit, ndërsa mënyra e dëbimeve ka ngritur shqetësime ligjore.

Një hetim i AFP-së zbuloi se SHBA ka përdorur edhe kufizime vizash ndaj disa vendeve afrikane për t’i bindur të pranojnë të dëbuarit.

Avokatët paralajmërojnë se personat e dërguar në vende me të cilat nuk kanë lidhje mund të përfundojnë në një situatë me pak ose aspak të drejta ligjore.

Ndërkohë, UNHCR mohon të jetë palë në marrëveshjet dypalëshe, ndërsa IOM thotë se përfshirja e saj synon përmirësimin e kushteve për migrantët e prekur.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds