Një nismë humanitare në mbështetje të një nxënësi të klasës së pestë ka bërë bashkë komunitetin arsimor në Fier. Erald Shahu, nxënës në shkollën 9-vjeçare “Leonora Bare” në Drizë po përballet me një betejë të vështirë me leuceminë.

Prej rreth një muaji e gjysmë ai ndodhet i shtruar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku po merr trajtimin mjekësor. Vështirësitë janë edhe më të mëdha, pasi të dy prindërit e tij janë të sëmurë dhe për kujdesin ndaj Eraldit është angazhuar halla.

Thirrjes për ndihmë të shkollës 9-vjeçare “100 Vjetori i Pavarësisë” në Zhupan iu përgjigjën edhe 11 institucione të tjera arsimore.

Falë kontributeve të komunitetit arsimor janë mbledhur rreth 6 milionë lekë të vjetra. Organizatorët theksojnë se ndihma duhet të vijojë dhe apelojnë për mbështetjen e të gjithë atyre që kanë mundësi të kontribuojnë.

Një nismë kjo që dëshmon se solidariteti dhe humanizmi shprehen përmes veprave. Urimi i përbashkët është që Eraldi të fitojë betejën me sëmundjen dhe të rikthehet sa më shpejt pranë familjes, shokëve dhe mësuesve të tij.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *