Pavarësisht investimeve të kryera ndër vite në rrjetin e ujësjellësit dhe infrastrukturën e shpërndarjes, problemet me cilësinë e ujit vijojnë të jenë një shqetësim i përsëritur për familje të shumta në Lushnjë.
Banorët e lagjes “Xhevdet Nepravishta” gjatë ditëve të fundit po përballen me probleme në furnizimin me ujë. Sipas tyre uji që mbërrin në rubinetat e banesave ka ngjyrë të errët dhe është i turbullt duke e bërë të papërdorshëm për konsum dhe gatim. Në këto kushte ata shprehen se janë të detyruara të blejnë ujë të ambalazhuar për të pirë dhe për gatim duke përballuar kështu një kosto shtesë ekonomike.
Pas ankesave të përsëritura të banorëve,ne kontaktuam Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve Lushnjë për të marrë një shpjegim zyrtar lidhur me këtë situatë.
Sipas përfaqësuesve të ndërmarrjes problemi ka qenë i përkohshëm dhe nuk lidhet me ndotjen e burimit të furnizimit me ujë. Shkak sipas tyre është bërë një ndërhyrje teknike në terren për riparimin e një saraçineske të dëmtuar në linjën kryesore të zonës. Pas përfundimit të punimeve është kryer edhe shpëlarja e tubacionit, proces që mund të ketë shkaktuar përkohësisht turbullimin e ujit. Ndërmarrja ka bërë me dije se pas pastrimit të plotë, parametrat e ujit do të rikthehen në normat e lejuara.
