Çmimi i naftës ra të enjten, ndërsa rimëkëmbja e eksporteve të naftës bruto nga Gjiri Persik dhe rritja e papritur e rezervave amerikane zbutën shqetësimet për furnizimet.
Në të njëjtën kohë, investitorët po ndjekin përpjekjet e reja diplomatike mes SHBA-së dhe Iranit për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme, raportoi Reuters.
Nafta Brent zbriti 1.1%, në 96.92 dollarë për fuçi, ndërsa West Texas Intermediate (WTI) ra 1.4%, në 89.18 dollarë për fuçi, deri në orën 04:20 GMT.
Rënia vjen pas një shtatori të fortë për tregun e naftës. Brent fitoi rreth 14% gjatë muajit, rritja më e madhe mujore që nga korriku, ndërsa WTI u rrit me rreth 5%.
Një nga faktorët kryesorë që po ushtron presion mbi çmimet është përmirësimi i furnizimeve nga rajoni i Gjirit. Arabia Saudite ka rifilluar ngarkimin e tankerëve me naftë nga Yanbu, pas rikthimit më herët në funksion të tubacionit Lindje-Perëndim.
Sipas vlerësimeve të Goldman Sachs, eksportet e naftës nga vendet e Gjirit, përfshirë edhe të ashtuquajturat “eksporte të errëta” nga anije që lundrojnë me transponderët e vendndodhjes të fikur, janë rikuperuar në rreth 23.3 milionë fuçi në ditë gjatë javës së fundit, afërsisht në nivelin mesatar të vitit 2025.
Në SHBA, rezervat e naftës bruto u rritën me 922 mijë fuçi, në 427.3 milionë fuçi, gjatë javës që përfundoi më 25 shtator, sipas Administratës amerikane të Informacionit për Energjinë (EIA). Tregu kishte pritur një rritje shumë më të vogël, prej rreth 264 mijë fuçish.
Ndërkohë, zhvillimet diplomatike mes Uashingtonit dhe Teheranit mbeten një tjetër faktor që po ndikon në treg. Rifillimi i angazhimit diplomatik mes dy vendeve mund të ulë më tej primin e rrezikut gjeopolitik të përfshirë në çmimin e naftës, megjithëse një përparim vendimtar mbetet i pasigurt.
Irani deklaroi të mërkurën se kishte marrë përgjigjen e SHBA-së ndaj propozimit të fundit të Teheranit për rikthimin e armëpushimit në Gjirin Persik.
Ndërkohë, shtatë vende kryesore të OPEC+ pritet të mbajnë të pandryshuara objektivat e prodhimit për nëntorin, kur të zhvillojnë një takim virtual të dielën. Megjithatë, sipas burimeve të Reuters, ende nuk është marrë një vendim përfundimtar.
