Katër persona janë arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Fierit, në kuadër të një hetimi për falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Në pranga kanë rënë dy ish-drejtorët e ASHK-së Fier, Ertis Shehu dhe B.K., specialisti dhe juristi P.Ç., si dhe biznesmeni Kastriot Hasko, i dyshuar si përfitues i pronave.
Hetimi lidhet me dyshimet për falsifikimin e dokumenteve të pronësisë dhe regjistrimin e rreth 1143 hektarëve tokë në zonat e Semanit të Ri dhe Sheq Marinas. Sipas Prokurorisë, Hasko dyshohet se ka përdorur dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për regjistrimin e tokës dhe më pas, përmes një prokure të falsifikuar, ia ka shitur dy shoqërive.
Prokuroria dyshon se ish-drejtuesit dhe specialisti i ASHK-së kanë regjistruar pronat pa kryer verifikimet e nevojshme të dokumenteve të pronësisë. Në një prej rasteve, sipas hetimit, është regjistruar edhe sipërfaqe më e madhe se ajo e përcaktuar në dokumentin e përdorur si titull pronësie.
Në kuadër të operacionit janë sekuestruar mbi 76 pasuri, me sipërfaqe totale rreth 1143 hektarë, si dhe 150 mijë euro. Masat e sigurisë dhe sekuestrimet janë ekzekutuar nga strukturat e Policisë së Fierit, në bashkëpunim me policinë e Tiranës dhe Vlorës.
