Rreth 150 nxënës të shkollave 9-vjeçare të Bashkisë Lushnjë, si “Skënder Libohova”, “Nënshkruesi i Pavarësisë Nebi Sefa”, “Dhimitër Mino” në Bubullimë, “Irakli Bozo” në Golem dhe të tjera, janë bërë pjesë e konkursit “Talenti i Vogël”, “Recitim & Krijimtari Letrare”, një aktivitet që u zhvillua gjatë dy ditëve në ambientet e Qendrës Kulturore të Fëmijëve.
Festat e Nëntorit zunë vendin kryesor në krijimet dhe interpretimet e tyre nga autorë të ndryshëm. Fëmijët sollën në vëmendje ngjarje të rëndësishme të historisë kombëtare, figurat historike dhe sakrificat për lirinë e Shqipërisë, por përcollën te bashkëmoshatarët edhe mesazhe patriotike dhe dashurinë për atdheun.
Konkursi u organizua me synim evidentimin dhe promovimin e talenteve të reja, si dhe nxitjen e interesit të fëmijëve për letërsinë, poezinë dhe artin e interpretimit.
Pas përfundimit të prezantimeve, juria e Qendrës Kulturore të Fëmijëve do të bëjë vlerësimin e konkurrentëve dhe do të organizohet në ditët në vijim ndarja e çmimeve për nxënësit më të spikatur, në shenjë vlerësimi për talentin dhe përkushtimin e tyre.
Ky aktivitet është pjesë e Kalendarit të Aktiviteteve të QKF Lushnjë, të cilat i organizon me miratimin e ZVAP-së dhe në bashkëpunim me Bashkinë Lushnjë.
