Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të pezullojnë për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik me Kosovën, si pasojë e shqetësimeve të thella që lidhen me qasjen dhe veprimet e Qeverisë në detyrë të udhëhequr nga Albin Kurti.
Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, përmes një njoftimi në Facebook, ku theksohet se veprimet e fundit të Qeverisë Kurti kanë ndikuar negativisht në marrëdhëniet dypalëshe.
“Veprimet e Qeverisë në detyrë kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e SHBA-ve për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta,” thuhet në deklaratën e Ambasadës.
Ky vendim përbën një sinjal të qartë diplomatik nga Uashingtoni për mospajtimin në rritje me politikën e brendshme dhe qasjen ndërkombëtare të Qeverisë Kurti, veçanërisht në raport me dialogun Kosovë–Serbi.
Dialogu Strategjik Kosovë–SHBA është një platformë e rëndësishme bashkëpunimi në fusha thelbësore si siguria, sundimi i ligjit, drejtësia, energjia, investimet dhe zhvillimi ekonomik.

