Jo vetëm ushqyerja dhe aktiviteti fizik, por edhe mënyra si mendojmë dhe përballemi me jetën mund të ndikojë në jetëgjatësinë tonë. Një studim i ri ka zbuluar se njerëzit më kuriozë, pozitivë dhe emocionalisht të qëndrueshëm kanë më shumë mundësi të plaken në mënyrë të shëndetshme.
Studimi është kryer nga studiues të Universitetit të Kaliarit dhe është publikuar në “Journal of Applied Positive Psychology”. Kërkimi u fokusua te banorët e Sardenjës, një zonë e njohur si “Zona Blu”, ku njerëzit jo vetëm jetojnë gjatë, por ruajnë edhe një cilësi të mirë jete në moshë të madhe.
Në studim morën pjesë 125 persona nga mosha 71 deri në 101 vjeç, të cilët u krahasuan me të moshuar që jetonin në zona rurale pranë kësaj zone.
Rezultatet treguan se të moshuarit e Zonës Blu kishin disa tipare të përbashkëta: ishin më të hapur ndaj përvojave të reja, më kuriozë dhe kishin aftësi më të mira për të kuptuar dhe menaxhuar emocionet e tyre.
Sipas studiuesve, mënyra si këta persona përballonin problemet e përditshme dhe stresin lidhej me një ndjenjë më të mirë të shëndetit të përgjithshëm.
Një tjetër element i rëndësishëm ishte aktiviteti mendor. Të moshuarit e Zonës Blu shpenzonin mesatarisht 11.3 orë në javë në aktivitete si leximi, kopshtaria dhe hobi të tjera stimuluese, ndërsa banorët e zonave përreth rreth 6.8 orë në javë.
Studimi zbuloi gjithashtu se neuroticizmi, që lidhet me ankthin, pasigurinë, humorin negativ dhe prirjen ndaj stresit, ishte tipari që shoqërohej më shumë me një cilësi më të dobët të jetës.
Në të kundërt, personat më të organizuar, të përgjegjshëm dhe bashkëpunues raportuan kënaqësi më të madhe me jetën dhe një perceptim më pozitiv për shëndetin e tyre.
Sipas kërkimit, një pjesë e rëndësishme e plakjes së shëndetshme nuk lidhet vetëm me atë që hamë apo sa lëvizim, por edhe me mënyrën si e përjetojmë jetën dhe si përballemi me sfidat.
