491,504 është numri i personave që u trajtuan me pension pleqërie, në 6 mujorin e parë të vitit 2023. Rreth 23 mijë pensionistë më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i pensioneve të pleqërisë u zgjerua në një vit me rreth 5%, por nga ana tjetër skema e pensioneve po shfaq qëndrueshmëri.

Deficiti i skemës është përmirësuar nga rritja e të ardhurave nga kontributet dhe masa më e ulët e pensioneve të reja. Të dhënat zyrtare tregojnë se në 6-mujorin e vitit deficiti i skemës së pensioneve i cili u subvencionua nga buxheti i shtetit ishte 8 miliardë lekë nga 12 miliardë ne 6-mujorin e parë të vitit 2022 me një rënie gati 30%. Të ardhurat nga sigurimet në 6-mujorin e parë pësuan rritje vjetore me 12%.

Brezi i të lindurve në vitet 1960-1970 po del në pension në këtë periudhë. Shumica prej tyre punuan në vitet e tranzicionit dhe nuk përmbushin kushtet për pension të plotë. Personat, që dalin në pension pas vitit 2015, për një periudhë afatmesme përfitojnë rritje më të moderuar të masës së pensionit, krahasuar me pensionistët që dolën në pension para këtij viti, për shkak të ndryshimit të parimit, nga pension solidar në pension në bazë të kontributeve. Tranzicioni demografik po ndryshon me shpejtësi strukturën e popullsisë në favor të moshave të vjetra. Shumë shpejt të moshuarit do të jenë gjenerata e së ardhmes. Mosha e tretë që shumë shpejt do të përbëjë 30 për qind e popullsisë aktualisht jeton në varfëri dhe me mungesë perspektive për përmirësim të kushteve financiare në të ardhmen.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *