Bashkia Lushnjë vijon punën për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në qytet dhe në lagjet e tij, me qëllim rritjen e cilësisë së jetesës për banorët dhe lehtësimin e qarkullimit.

Së fundmi, i është nënshtruar rikonstruksionit rruga “Halim Haxhiu”, e cila ndodhet pranë shkollës ‘Nënshkruesi i Pavarësisë Nebi Sefa’. Kjo rrugë, ndonëse e pozicionuar mes dy kanaleve kulluese, ka një rëndësi të veçantë për zonën pasi shërben për lëvizjen e banorëve dhe nxënësve.

Rruga ka një gjatësi prej rreth 560 metrash dhe ka qenë në gjendje të amortizuar, duke vështirësuar qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve sidomos në ditët me reshje. Falë ndërhyrjes së Ndërmarrjes së Punëve publike, është realizuar nënshtresa me çakull dhe stabilizant, duke vijuar më pas me shtrimin përfundimtar me asfalt, çka garanton një standard më të lartë dhe qëndrueshmëri në kohë. Ndërmarrja e Punëve Publike e Bashkia Lushnjë, prej kohësh po vijon ndërhyrjet në akse të ndryshme të qytetit, duke synuar rehabilitimin e rrugëve të amortizuara dhe modernizimin e infrastrukturës urbane.

Ky investim jo vetëm që përmirëson ndjeshëm lëvizjen për banorët e zonës, por ndikon edhe në sigurinë rrugore, veçanërisht për nxënësit që frekuentojnë shkollën pranë saj.

Banorët e zonës e kanë mirëpritur këtë investim, duke e konsideruar një ndërhyrje të domosdoshme që i jep fund problematikave të kahershme dhe përmirëson ndjeshëm përditshmërinë e tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *