Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar deputetëve socialistë të vijojnë punën në terren dhe të mbajnë kontakte të vazhdueshme me qytetarët, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, të zhvilluar këtë të hënë në Kryesinë e Kuvendit. Takimi nisi në orën 09:00, ku në fokus të diskutimeve ishte situata pas protestave në Tiranë dhe masat ndëshkuese ndaj personave të përfshirë në aktet e dhunës. Gjatë fjalës së tij, Rama ka kritikuar mungesën e deputetëve në terren, duke theksuar se kjo po krijon perceptimin se ata janë tërhequr nga kontakti me qytetarët për shkak të protestave. Kreu i qeverisë u ka kërkuar ligjvënësve të dëgjojnë nga afër shqetësimet dhe pakënaqësitë e qytetarëve, në një moment kur protestat kanë shtuar tensionet politike në vend. Po ashtu mësohet se në mbledhjen e sotme të grupit nuk ka qenë e pranishme deputetja Elisa Spiropali, e cila pak ditë më parë iu drejtua Edi Ramës me një letër të hapur, ku i kërkonte zgjidhje politike për situatën e krijuar, pas protestave studentore. Arsyeja e mungesës së Spiropalit në mbledhje ende nuk dihet, ndërkohë mbledhja vjen në një kohë kur vendi është përfshirë në protestave masive.
