Kostoja e “mbajtjes së gjithçkaje nën kontroll” është më e lartë sesa shumica e burrave e kuptojnë

Shumë burra  duken sikur po ia dalin mjaft mirë këto kohë, të paktën në pamje të parë. Pavarësisht ngarkesës së madhe në punë dhe në shtëpi, ata vazhdojnë të përmbushin afatet, të ruajnë jetën sociale dhe të jenë pranë partnerëve apo familjeve të tyre.

Mund të kalojnë disa net pa gjumë, të punojnë gjatë fundjavave apo të marrin fluturime nate për të qenë në një takim të rëndësishëm në mëngjes, por kjo shihet si “normale”. Edhe të pish disa birra para gjumit apo të mos arrish të përqendrohesh sepse një problem i madh të rëndon vazhdimisht, shpesh perceptohet si pasojë natyrale e marrjes së shumë përgjegjësive.

Por pikërisht këtu qëndron problemi.

E njëjta aftësi për të përballuar shumë gjëra njëkohësisht, bashkë me bindjen se “duhet të jesh në gjendje t’ia dalësh vetë”, e bën më të vështirë të dallosh shqetësimin emocional që po përjeton.

Atëherë, sa kushton realisht të mbash gjithçka nën kontroll? Dhe për sa kohë mund të vazhdosh kështu përpara se diçka të thyhet?

Kjo dinamikë mund të vlejë për shumë të rritur, por sipas autorit ajo është veçanërisht e fortë te burrat, sepse ata kërkojnë më pak ndihmë profesionale për shëndetin mendor.

Sipas një studimi të Eggenberger dhe kolegëve në vitin 2021, ndërsa 52% e grave amerikane kishin marrë trajtim për shëndetin mendor gjatë vitit paraardhës, vetëm 40% e burrave kishin bërë të njëjtën gjë.

Një tjetër studim i vitit 2026 zbuloi se gratë përdorin psikoterapinë dukshëm më shumë se burrat, sidomos në grupmoshën 18 deri në 25 vjeç, ku diferenca arrinte deri në 22 pikë përqindjeje.

Edhe lloji i profesionit duket se ndikon.

Një studim i vitit 2023 në Journal of Primary Care and Community Health tregoi se, nga 11 burra emocionalisht të shqetësuar me punë zyre, 10 nuk kishin provuar kurrë terapinë për çdo një që e kishte provuar. Situata ishte edhe më e rëndë te burrat që kryenin punë fizike, ku për çdo një burrë në terapi kishte 31 të tjerë jashtë trajtimit.

Në të njëjtin studim, pothuajse dy herë më shumë gra në çdo kategori profesionale kishin kërkuar ndihmë psikologjike.

Kostoja e kësaj diference nuk është vetëm psikologjike.

Sipas CDC-së, burrat amerikanë vdesin nga vetëvrasja pothuajse katër herë më shumë se gratë, edhe pse gratë diagnostikohen më shpesh me depresion.

Këto fenomene mund të lidhen me një tendencë të dëmshme mashkullore për të shtypur emocionet.

Një meta-analizë e publikuar në vitin 2017 në revistën Emotion tregoi se mbështetja e tepruar te shtypja emocionale si mekanizëm mbrojtës lidhet me:

-më pak mbështetje sociale,

-më pak lidhje me të tjerët,

-kënaqësi më të ulët në miqësi,

-dhe marrëdhënie romantike me cilësi më të dobët.

Një nga objektivat kryesore të psikoterapisë është pikërisht reduktimi i kësaj shtypjeje emocionale. Në terapi, shumë njerëz mësojnë të shprehin hapur emocionet, t’i kuptojnë dhe t’i përdorin ato si burim informacioni për veten.

Kërkimet klasike të James Pennebaker e mbështesin këtë ide. Studimet e tij treguan se edhe shkrimi i hapur mbi një përvojë stresuese mund të përmirësojë ndjeshëm treguesit e shëndetit fizik dhe psikologjik.

Shtypja e emocioneve do të thotë të heqësh dorë nga mundësia për të ulur stresin, për të frenuar ankthin dhe për të lehtësuar depresionin.

Pikërisht burrat që perceptohen si shumë kompetentë, nga të tjerët dhe nga vetja e tyre, mund të jenë më të rrezikuarit.

Që prej vitit 1974, kur Herbert Freudenberger përdori për herë të parë termin “burnout”, dihet se njerëzit me arritje të larta mund të humbasin ndjesinë e qëllimit, ndërsa vazhdojnë mekanikisht të përmbushin objektivat e përditshme dhe standardet që i kanë vendosur vetes. (Termi “burnout” përdoret për të përshkruar një gjendje të lodhjes së thellë fizike, mendore dhe emocionale, që shkaktohet nga stresi i zgjatur, zakonisht i lidhur me punën apo presionin e vazhdueshëm).

Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë e njeh burnout-in si sindromë, duke e përshkruar si kombinim të lodhjes ekstreme, pesimizmit dhe ndjesisë së përpjekjes së vazhdueshme pa kuptim.

Për burrat me nivele të larta suksesi apo përgjegjësie, të cilët kanë më pak gjasa të kërkojnë ndihmë apo të shprehin emocionet, shenjat paralajmëruese të burnout-it apo problemeve të tjera mendore janë më të vështira për t’u dalluar.

Dhe sa më gjatë të vazhdojnë pa trajtim, aq më të rrënjosura dhe serioze bëhen simptomat, deri në pikën ku bëhet e vështirë të kujtosh se si ndihej dikur mirëqenia emocionale.

Nga brenda, “mbajtja e gjithçkaje nën kontroll” nuk ndihet mirë, por shpesh nuk perceptohet as si emergjencë.

Mund të ekzistojë një ndjesi e vazhdueshme parehatie, sikur nuk je më “në formën tënde”, edhe pse vazhdon të shkosh në punë çdo ditë dhe të përballosh mbledhjet e përgjegjësitë.

Për të tjerët gjithçka duket normale, edhe pse ti vetë fillon të ndjesh se mënyrat e zakonshme për të përballuar stresin po bëhen gjithnjë e më pak efektive.

Ndoshta po lodhesh më shumë dhe po ndien më pak kënaqësi apo qetësi. Ndoshta gjumi nuk të çlodh më si dikur. Ndoshta aktiviteti fizik është kthyer në barrë dhe jo më në mënyrë për të shkarkuar tensionin.

Ose ndoshta, më çorientuesja nga të gjitha, ke arritur pikërisht atë për të cilën ke punuar prej vitesh dhe po pyet veten pse kjo nuk të ka bërë të lumtur.

E arrite objektivin. Por ku është ndjesia e kënaqësisë?

Ky moment është shumë i rëndësishëm për t’u vënë re. Shpesh ai tregon se diçka kërkon vëmendje dhe problemi nuk është objektivi i ardhshëm profesional.

Prandaj, edhe nëse nuk ke kërkuar kurrë ndihmë më parë apo nuk e ke të qartë pse duhet ta bësh, ndoshta ky është momenti për të provuar diçka ndryshe.

Ka shumë arsye pse kjo mund të ndihmojë, por autori ndalet te një ide e thjeshtë:

Nëse gjatë jetës ke përdorur standarde të jashtme për të përmirësuar performancën, atëherë e di që një këndvështrim objektiv nga jashtë shpesh prodhon rezultate më të mira sesa përpjekja për t’i zgjidhur të gjitha vetëm.

Kjo vlen në biznes, në sport dhe në çdo fushë ku performanca ka rëndësi.

Njerëzit më të suksesshëm përdorin çdo burim të disponueshëm për t’u përmirësuar.

E njëjta logjikë vlen edhe për terapinë.

Në disa aspekte, burrat mund të kenë nevojë për të edhe më shumë se gratë, pikërisht sepse kanë më shumë prirje t’i përpunojnë gjërat vetëm.

Dhe burrat që përfitojnë më shumë nga trajtimi janë ata që e kuptojnë këtë dhe janë të gatshëm ta shohin jetën e tyre nga një këndvështrim i ri./ Psychology Today

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds