Një ngjarje e rëndë është regjistruar në lagjen “15 Tetori” në Fier, ku një 35-vjeçar ka mbetur i plagosur me mjet prerës (thikë) pas një konflikti mes dy të rinjve.
Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ndodhi në ambientet e një lavazhi, ku një debat verbal ka degraduar në përdorimin e thikës. I plagosur ka mbetur shtetasi E. G., i cili është goditur me thikë në pjesën e barkut dhe është transportuar me urgjencë në spital.
Burime zyrtare bëjnë me dije se ai ndodhet në Spitali Rajonal Fier, ku po merr ndihmën mjekësore dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave. Edhe pse i dëmtuari nuk ka bashkëpunuar duke dhënë detaje apo duke identifikuar autorin, policia ka arritur të identifikojë të dyshuarin.
Sipas hetimeve paraprake, konflikti dyshohet të ketë lindur për shkak të një marrëdhënieje qiraje, pasi i plagosuri ishte pronar i një subjekti në zonë, të cilin ia kishte dhënë me qira autorit të dyshuar.
Policia ka shpallur në kërkim shtetasin A. K., 25 vjeç, banues në Fier, i cili dyshohet se gjatë konfliktit ka goditur me thikë 35-vjeçarin dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Aktualisht, vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij, ndërsa grupi hetimor po punon për të sqaruar plotësisht dinamikën dhe motivet e kësaj ngjarjeje.
