Agjencia amerikane e hapësirës NASA ka zbuluar detaje të reja mbi misionet e saj të ardhshme në Hënë, përfshirë landerë robotikë, dronë që “kërcejnë” mbi sipërfaqe dhe mjete eksplorimi, si pjesë e planit për ndërtimin e një baze të përhershme hënore.
Në projekt janë përfshirë disa kompani private, mes tyre edhe kompania hapësinore e themeluesit të Amazon-it Jeff Bezos, Blue Origin, e cila do të ndërtojë një nga mjetet e uljes në Hënë.
Shtetet e Bashkuara synojnë rikthimin e astronautëve në sipërfaqen hënore përpara përfundimit të mandatit të presidentit Donald Trump në vitin 2029, ndërsa projekti shihet si pjesë e një gare të re hapësinore me Kinën.
Në anën tjetër, Kina po avancon me shpejtësi drejt objektivit të saj për të ulur astronautë në Hënë deri në vitin 2030, duke forcuar konkurrencën globale në eksplorimin hapësinor.
Sipas planit të NASA-s, programi i quajtur “Ignition Moon Base” parashikon tre faza zhvillimi: fillimisht dërgimin e robotëve dhe dronëve për hartëzimin e sipërfaqes hënore, më pas transportimin e mjeteve të eksplorimit dhe komunikimit, dhe në fund ndërtimin e infrastrukturës për misione me ekuipazh.
NASA ka nënshkruar kontrata edhe me kompani të tjera si Intuitive Machines dhe Astrobotic për zhvillimin e landerëve dhe pajisjeve që do të përdoren në sipërfaqen e Hënës.
Në plan parashikohet që deri në vitin 2029 të realizohen rreth 25 lëshime dhe të dërgohen disa tonë ngarkesa shkencore në Hënë, përfshirë kamera me rezolucion të lartë dhe instrumente kërkimore.
Një nga qëllimet kryesore të projektit është krijimi i burimeve të energjisë në Hënë, përfshirë reaktorë bërthamorë dhe sisteme diellore, të cilat do të mundësojnë funksionimin e një baze “gjysmë të përhershme” deri në vitin 2032.
Zona e Polit Jugor të Hënës konsiderohet veçanërisht e rëndësishme, pasi mendohet se përmban ujë të ngrirë që mund të shërbejë për prodhimin e oksigjenit dhe furnizimin e astronautëve.
Megjithatë, ekspertët shprehen skeptikë për afatet e vendosura, duke theksuar se sfida kryesore mbetet krijimi i një mjeti të sigurt për uljen e astronautëve në sipërfaqen hënore.
Ndërkohë, kompania SpaceX e Elon Musk është kontraktuar për të zhvilluar sistemin e uljes njerëzore në Hënë, por projekti ka hasur vonesa dhe vështirësi teknike.
