Një ngjarje e çuditshme dhe e pazakontë është regjistruar në Scottsbluff, Nebraska, ku një grua është plagosur në krah pas një të shtëne me armë zjarri që, sipas policisë, dyshohet se është shkaktuar nga një qen brenda një furgoni.

Ngjarja ndodhi teksa gruaja po priste që semafori të bëhej jeshil, me krahun e djathtë jashtë dritares së automjetit, kur papritur u dëgjua një krismë e fortë. Menjëherë pas saj, ajo ndjeu dhimbje në krah dhe konstatoi se ishte plagosur.

Sipas hetimeve paraprake të policisë, në një furgon të parkuar pranë një pike karburanti ndodhej një pushkë gjuetie e lënë në sediljen e pasme, e mbushur dhe me një fishek në dhomën e fishekut. Pronari i automjetit kishte hyrë në një dyqan pranë stacionit të karburantit, duke e lënë armën brenda mjetit, shkruajnë mediat.

Autoritetet dyshojnë se një qen që ndodhej në furgon është lëvizur mbi armë, duke shkaktuar në mënyrë të paqëllimshme të shtënën që përshkoi derën e mjetit dhe plagosi gruan që ndodhej aty pranë.

Viktima u dërgua menjëherë në spital nga një familjar dhe, sipas mjekëve, plagët e saj nuk konsiderohen kërcënuese për jetën.

Policia mbërriti shpejt në vendngjarje, fillimisht duke dyshuar për një incident të mundshëm me armë zjarri si shumë raste të tjera në SHBA. Megjithatë, pasi kontrolluan automjetin, konstatuan se brenda ndodhej vetëm qeni i pronarit së bashku me armën e lënë pa siguri.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa rasti ka tërhequr vëmendje për shkak të natyrës së tij të pazakontë dhe absurdit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds