Policia Rrugore Fier ka intensifikuar kontrollet në akset kryesore rrugore dhe në pikat hyrëse-dalëse të qarkut, duke përdorur pajisje inteligjente monitorimi me synim parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut.
Gjatë kësaj jave, për shkelje të ndryshme të dispozitave të Kodit Rrugor janë proceduar penalisht 14 shtetas. Prej tyre, 5 drejtues mjetesh janë arrestuar në flagrancë pasi u konstatuan duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, ndërsa 9 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Në kuadër të kontrolleve parandaluese të zhvilluara në rrugët urbane dhe ato lokale, Policia Rrugore ka vendosur një sërë masash administrative ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit:
* 700 masa administrative për tejkalim të shpejtësisë në rrugët interurbane dhe në autostradën A2;
* 60 masa administrative për mospërdorim të rripit të sigurimit;
* 20 masa administrative për errësim të xhamave mbi normat e lejuara;
* 475 masa administrative për shkelje të tjera që përbëjnë burim aksidentesh.
Po ashtu, gjatë kontrolleve janë sekuestruar 12 motomjete që qarkullonin pa dokumentacionin dhe targat përkatëse.
Policia Rrugore Fier apelon ndaj të gjithë përdoruesve të rrugës që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit, duke e konsideruar këtë si një kontribut të domosdoshëm për rritjen e sigurisë rrugore, mbrojtjen e jetës dhe garantimin e një qarkullimi të sigurt dhe pa pengesa për të gjithë qytetarët.
