Ka nisur në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi, të cilët janë marrë të pandehur për tre vepra penale.
Në seancën e parë, mbrojtja e Ilir Metës ka paraqitur një kërkesë të re lidhur me mënyrën e qëndrimit të tij gjatë procesit gjyqësor, duke kërkuar që ai të mos qëndrojë pas kafazit të xhamit në sallën e gjyqit.
Kërkesa është shqyrtuar nga trupi gjykues i GJKKO-së, por është rrëzuar menjëherë. Gjykata ka arsyetuar se kjo çështje ishte trajtuar më herët dhe për të ishte marrë një vendim.
Procesi ndaj Metës dhe Kryemadhit lidhet me akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Prokuroria e Posaçme ka ngritur dyshime për veprime të kryera gjatë periudhës kur ata kanë pasur funksione publike dhe gjatë administrimit të pasurive familjare.
Ilir Meta ndodhet nën masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa Monika Kryemadhi është nën masë tjetër sigurie. Të dy i kanë kundërshtuar akuzat dhe kanë kërkuar që çështja të shqyrtohet në bazë të provave.
Seancat e radhës do të vijojnë me paraqitjen e qëndrimeve të palëve dhe shqyrtimin e materialeve të dosjes hetimore.
