Partia Demokratike ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese ligjin e marrëveshjes së huasë prej 302 milionë eurosh mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për blerjen e pajisjeve ushtarake.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se opozita nuk kundërshton marrëveshjen në parim, por procedurën përmes së cilës ajo u miratua në Kuvend.
Sipas Bardhit, shumica parlamentare ka shkelur Kushtetutën dhe standardet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese, duke mos u dhënë deputetëve kohën dhe mundësinë për t’u njohur me përmbajtjen e marrëveshjes dhe për të ushtruar funksionet e tyre parlamentare.
“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka identifikuar shtatë shkelje kushtetuese”, tha Bardhi, duke renditur mes tyre mungesën e aksesit të deputetëve në dokumentacionin e plotë, mosrespektimin e afateve parlamentare, përdorimin e procedurës së përshpejtuar dhe mungesën e transparencës për shkak të klasifikimit të marrëveshjes.
Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, marrëveshja nuk duhej të miratohej në një procedurë të përshpejtuar, pasi qeveria kishte kohë ta ndiqte rrugën normale parlamentare.
“Problemi nuk është marrëveshja, por mënyra antikushtetuese se si shumica vendosi ta miratonte atë”, u shpreh Bardhi.
Ai akuzoi mazhorancën se ka cenuar të drejtat e opozitës dhe të deputetëve, ndërsa kërkoi nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin e ligjit ratifikues dhe pezullimin e tij deri në shqyrtimin e çështjes.
Marrëveshja me SHBA-në parashikon një hua prej 302 milionë eurosh për modernizimin e kapaciteteve ushtarake të Shqipërisë dhe pajisjen e Forcave të Armatosura. PD ka deklaruar se mbështet forcimin e mbrojtjes dhe marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara, por kërkon që procesi të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën.
