Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, iu përgjigj sot pyetjeve të gazetarëve mbi votimin nga diaspora dhe procedurat zgjedhore për qytetarët shqiptarë.
I pyetur se çfarë ndodh nëse Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim, zgjidhet deputet, Celibashi theksoi se mandati i deputetit fitues konfirmohet nga komisioni përkatës zgjedhor në momentin e shpalljes.
Kujtojmë që kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka deklaruar se Meta do të jetë pjesë e listave të sigurta të PD-së për zgjedhjet e 11 majit.
Gazetarët e pyetën Celibashin lidhur me precedentë të ngjashëm, duke sjellë në vëmendje rastin e Azgan Haklajt në Tropojë në vitin 2001, kur ai vetë ishte në krye të KQZ-së.
Celibashi tha se nuk mund të japë një vendim paraprak për një çështje që mund të shqyrtohet nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve apo edhe nga institucione të tjera. Megjithatë, ai nënvizoi se çdo kandidat që shpallet fitues e merr mandatin nga momenti i konfirmimit zyrtar.