Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. Gjatë këtij forumi Kurti është takuar me kryeministrin e Lituanisë, Gintautas Paluckas. Kurti shprehu edhe falënderimin ndaj shtetit mik të Lituanisë për mbështetjen ndaj Kosovës, veçanërisht në fushën e sigurisë, përmes kontributit në misionin e KFOR-it dhe EULEX-it, bashkë edhe me përkrahjen ndaj vendit tonë në aspiratat për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

Kryeministri shtoi se Kosova tashmë ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe nevojiten hapa të rëndësishëm. Më tej, ai e njoftoi kryeministrin Paluckas për rritjen ekonomike e avancimin demokratik, që ka njohur Kosova në katër vitet e fundit. Ai shtoi se kjo është dëshmuar edhe nga renditjet e larta e pozitive të Kosovës në indekse ndërkombëtare.

Në takim u diskutua dhe mbi gjeopolitikën dhe situatën e sigurisë në rajon dhe Evropë dhe adresimin e sfidave të përbashkëta. Me këtë rast, kryeministri Kurti shprehu dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës dhe theksoi që Republika e Kosovës është rreshtuar me partnerët ndërkombëtarë në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Kurti e falënderoi Kryeministrin Paluckas për takimin dhe bisedën në shërbim të thellimit e fuqizimit të mëtejmë të marrëdhënieve e bashkëpunimit dypalësh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds