Kuvendi i ka kthyer përgjigje shkresës së Komisionit Qëndror të Zgjedhje, për të marrë informacion se sa herë Partia Social-Demokrate dhe PDIU i kanë bashkuar votat me Partinë Socialiste. Në shkresën e Kuvendit, bëhet me dije se PSD-ja, PDIU-ja dhe PS-ja kanë bashkuar votat 8 herë në Kuvend për të miratuar programin politik të qeverisë në 16 shtator 2021 si edhe për votimin dhe miratimin e buxheteve nga viti 2021 deri në 2025.

Sipas rregullores së KQZ-së, komisionerët në komisionet e votimit dhe në grupet e numërimit ndahen mes partive parlamentare në Kuvend. Pjesën më të madhe të komisionerëve e kanë partitë kryesore në Kuvend, PS-ja dhe PD-ja, ndërsa vendet e tjera ndahen mes partive të vogla. 

Sipas rregullit ndarja e komisionerëve nga KQZ-ja do të jetë PS-ja do të ndajë komisionerët me PSD-në dhe PD-ja do të ndajë komisionerët me LSI-në dhe PDIU-n.

Përgjigjja e Kuvendit:

I nderuar zoti Komisioner Në përgjigje të shkresës Suaj me nr. prot. 323, datë 17.1.2025 në të cilën kërkohet vënia në dispozicion e qëndrimeve të shprehura në votë të deputetëve të Partisë Socialdemokrate (PSD) dhe Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), në votëbesimin e qeverisë, ligjin e buxhetit, etj., gjatë periudhës së legjislaturës 2021-2025, Ju dërgojmë dokumentacionin arkivor si më poshtë:

-Procesverbalin për votimin e projektvendimit “Për miratimin e programit politik dhe përbërjes së Këshillit Ministrave”, datë 16 shtator 2021, bashkëlidhur dhe fletët e votimit.
-Procesverbalin për votimin në parim të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2022”, bashkëlidhur edhe fletët e votimit.
-Procesverbalin për votimin në tërësi të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2022”, bashkëlidhur edhe fletët e votimit.
-Përmbledhjen e rezultatit të votimit në parim të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2023”.
Përmbledhjen e rezultatit të votimit në tërësi të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2023”.
-Votimi në parim dhe në tërësi i projektligjit “Për buxhetin e vitit 2024” për shkak të situatës se krijuar gjatë seancës plenare u zhvillua me kartonë dhe nuk disponojmě votimin individual të deputetëve.
-Bashkëlidhur procesverbali i seancës plenare të datës 7 dhjetor 2023 dhe procesverbali i seancës plenare të datës 21 dhjetor 2023.
-Përmbledhjen e rezultatit të votimit në parim të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2025”. Përmbledhjen e rezultatit të votimit në tërësi të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2025”.

Kërkesa e KQZ-së ndaj Kuvendit ka ardhur pasi, kryeparlamentarja Elisa Spiropali deklaroi se PS-ja ishte shumicë parlamentare në Kuvend dhe partitë e tjera ishin në opozitë. Por kjo deklaratë është kundërshtuar nga Partia Demokratike, e cila tha se PSD dhe PDIU kanë bashkuar votat me PS-në.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds