Në vijim të kontrolleve të befasishme dhe të intensifikuara nga Forcat Speciale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, në bashkëpunim me SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), është evidentuar një rast i posedimit të sendeve të ndaluara në ambientet e IEVP Durrës.
Sipas asaj që raporton Anila Hoxha, gjatë kontrollit të ushtruar në godinën “B”, u konstatua dhe sekuestrua një aparate celular tip iPhone, së bashku me karikues dhe fishë lidhëse të improvizuar.
Lidhur me rastin, janë kryer të gjitha veprimet procedurale përkatëse dhe është mbajtur procesverbal për bllokimin dhe sekuestrimin e sendeve të ndaluara.
Strukturat e specializuara të SHKBB, në koordinim me SPAK dhe BKH, po vijojnë hetimet dhe procedurat e mëtejshme sipas ligjit.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thekson angazhimin e saj të vazhdueshëm për forcimin e sigurisë në institucionet penitenciare dhe për goditjen e çdo paligjshmërie brenda sistemit.
