Industria e përpunimit të qumështit në Shqipëri shënoi rritje gjatë vitit 2025, me 101 mijë tonë qumësht të grumbulluar, ose 6.9% më shumë se një vit më parë. Rritja u mbështet kryesisht nga qumështi i lopës, ndërsa qumështi i deles dhe i dhisë pësuan rënie të ndjeshme, duke reflektuar vështirësitë e sektorit të bagëtive të imëta.

Edhe prodhimi i djathit u rrit lehtë në total, falë përpunimit të qumështit të lopës, ndërsa djathi nga qumështi i deles dhe i dhisë shënoi rënie. Të dhënat janë publikuar nga INSTAT në Anketën e Qumështit dhe Nënprodukteve për vitin 2025.

Pavarësisht rritjes së prodhimit, çmimet e bulmetit vijuan të rriten. Sipas Eurostat, Shqipëria renditet e treta në Europë, pas Zvicrës dhe Norvegjisë, për nivelin më të lartë të çmimeve të qumështit dhe nënprodukteve të tij, me 135.6% të mesatares së Bashkimit Europian.

Krahasuar me vitin 2022, kur indeksi ishte 112.3, çmimet janë rritur ndjeshëm, duke i bërë produktet e bulmetit dhe vezët rreth 36% më të shtrenjta se mesatarja e BE-së. Ndryshe nga Zvicra dhe Norvegjia, ku pagat janë shumë më të larta, në Shqipëri kjo rritje rëndon më shumë mbi buxhetet e familjeve, pasi bulmeti mbetet një nga produktet bazë të konsumit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds