Një elektriçist që punonte në rehabilitimin e një linjë në Mërtish ka gjetur vdekjen.
Ngjarja e djeshme në Mërtish ku Xhuljo Shtëmbari, elektriçist humbi jetën duke punuar për riparimin e një linje të tensionit të mesëm, është shoqëruar me dy arrestime nga policia.
Prokuroria e Fierit, ka urdhëruar arrestimin në flagrancë të shtetasit Xhezmi Haliti me detyrë punonjës i nënstacionit elektrik Gradishtë dhe Arben Presheva, elektriçist.
Sipas prokurorisë këta dy persona nuk kanë zbatuar protokollin e mbrojtjes dhe zbatimin e rregullave teknike në punë.
Kujtojmë që elektriçisti Xhuljo Shtëmbari rreth 30 vjeç ka mbetur i vdekur teksa punonte për riparimin e linjës Mërtish – Gradishtë. Mesa duket ka qenë një gabim në komunikim pasi Shtëmbari i është thënë se linja është stakuar dhe ky i fundit është ngjitur të kryejë punime dhe ka mbetur i vdekur në vend nga rryma elektrike.
Ndërkohë familja Shtëmbari në Fier-Seman të Gradishtës ka hapur dyert e mortit për të përcjellë në banesën e fundit Xhuljon, prind i një fëmije të mitur.