Dy aksidente kanë ndodhur pothuajse në të njëjtën kohë në autostradën Fier Lushnjë në afërsi të Savrës në largësi jo më shumë se 200 metra nga njëra- tjetra. Aksidenti i parë ka ndodhur teksa një automjet tip Ford që udhëtonte në drejtim të Lushnjës është përplasur me barrierën e hekurt të autostradës, ku udhëtonin dy persona. Si rezultat i përplasjes drejtuesi i mjetit ka përfunduar në spital me lëndime të shumta i transportuar nga ambulanca me urgjencë. Një prej gomave të para të mjetit ka mbetur në pikën e përplasjes ndërsa automjeti ka ikur rreth 200 metra larg për inerci.
Aksidenti i dytë ka qenë po në këtë autostradë, ku mjeti tip Fiat me të cilin udhëtonin dy turiste franceze është përplasur nga pas nga një kamionçinë. Si rezultat i përplasjes ka dëme materiale dhe dy turistet franceze kanë shpëtuar pa lëndime serioze.
Policia në vendngjarje po punon për dokumentimin e aksidenteve dhe zbardhjen e shkaqeve të tyre duke disiplinuar njëkohësisht dhe trafikun e rënduar.
