Finalet e volejbollit për vajza dhe djem mes shkollave 9-vjeçare të bashkisë Lushnjë u zhvilluan sot në palestrën “Foto Puka”, e mbushur plot me tifozë të vegjël.
Në finalen e vajzave u përballën shkolla e Krutjes dhe shkolla “Skënder Libohova”, ku pas një ndeshjeje me rivalitet dhe emocione, Krutja arriti të fitojë me rezultatin 2-0.
Ndërkohë, në finalen e djemve u ndeshën shkolla e bashkuar Kolonjë dhe shkolla “Foto Puka”. Një përballje e fortë që përfundoi me fitoren e ekipit të “Foto Puka” me rezultatin 2-1.
Në përfundim të aktivitetit u shpërndanë certifikata dhe medalje për ekipet finaliste. E pranishme në ceremoni ishte Drejtorja e Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar, Arta Dhamo, e cila falënderoi pjesëmarrësit dhe uroi fituesit.
Në mungesë të Kryetares së bashkisë, në këtë aktivitet mori pjesë Drejtorja e Artit dhe Sportit, Brisilda Dervishi.
Për sigurinë dhe mbarëvajtjen e aktivitetit ishin të pranishëm punonjës të Policisë Bashkiake dhe të Shëndetit Publik.
Aktiviteti u organizua nga Qendra Kulturore e Fëmijëve në bashkëpunim me Zyrën Vendore të Arsimit Parauniversitar dhe me mbështetjen e Bashkisë Lushnjë.
