Festuan në sheshin qendror të qytetit të gjithë bashkë, fëmijë e të rritur, prindër e gjyshër në një atmosferë plot ngjyra në koncertin festiv që u organizua për 1 Qershorin nga Bashkia e Lushnjës.

Kjo atmosferë festive me këngë, valle e spektakël mbushi sheshin që u gjallërua nga gëzimi i fëmijëve dhe ngjyrat e pranverës.

​Në skenën e improvizuar performuan fëmijët e Qendrës Kulturore si edhe grupe të ndryshme kërcimi të qytetit të cilët sollën këngë, valle tradicionale shqiptare dhe koreografi moderne aerobike për më shumë se 1 orë duke marrë duartrokitjet e ngrohta të publikut.

​Emocione të veçanta përjetuan edhe prindërit të cilët ndoqën me krenari performancat e fëmijëve të tyre që i fotografuan dhe filmuan për t’i ruajtur si kujtime të kësaj dite të bukur.

1 Qershori solli edhe një herë mesazhin se fëmijët janë pasuria më e çmuar e shoqërisë, burimi i shpresës dhe i së ardhmes.

Festa në qendër të qytetit u kthye kështu në një ditë gëzimi dhe bashkimi për të gjithë komunitetin duke përcjellë dashuri dhe besim tek brezat që po rriten.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds