Nën hijen e rrënojave antike të Apolonisë u zhvillua edicioni i 8-të i “Festës së Grurit”, një nga aktivitetet më të rëndësishme kulturore, artistike dhe agroturistike cila tashmë është shndërruar në një traditë të dashur për Fierin dhe gjithë Myzeqenë. Mijëra vizitorë nga Shqipëria dhe diaspora iu bashkuan festës e cila promovon traditën, kulturën dhe identitetin e zonës. Në aktivitet morën pjesë edhe drejtues vendorë, deputetë e personalitete të jetës publike.
E organizuar nga Bashkia Fier me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, festa solli panaire me produkte vendase, gatime tradicionale, rituale folklorike dhe ekspozita kushtuar grurit, simbolit të begatisë së kësaj treve.
Për pjesëmarrësit në panair kjo festë ka rëndësinë e saj të veçantë për promovimin e grurit vendas i cili ka ulur ndjeshëm prodhimin.
“Festa të tilla, përveç faktit që krijojnë jetë sociale, afrojnë njerëzit me bujqësinë. Gruri është shumë i rëndësishëm për Myzeqenë. Pavarësisht rënies së rendimentit këtë vit, subvencionet dhe puna e fermerëve mbeten kyçe për rritjen e prodhimit”, u shpreh Drejtuesja Politike e Qarkut Fier Belinda Balluku.
Parada e Kurorave të Grurit, autokombajnat dhe hedhja simbolike e grurit në lëmë rikthyen traditat e hershme të zonës, ndërsa koncerti me mbi 30 artistë, nga Ansambli “Myzeqeja” deri te grupi “Elita 5” elektrizoi atmosferën.
Edhe këtë vit “Festa e Grurit” konfirmoi statusin e saj si një nga ngjarjet më të rëndësishme të verës shqiptare duke bashkuar trashëgiminë kulturore, bujqësinë dhe turizmin në zemër të Apolonisë.
