Fermerët e Çermës së Sipërme dolën në protestë duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për krizën që po kalon sektori i shalqirit. Ata shprehen se çmimi i ulët i shitjes, kostot e larta të prodhimit dhe mungesa e tregut po i çojnë drejt falimentimit.
Sipas tyre edhe pse Çerma është një zonë me prodhim të madh shalqiri, pikat e grumbullimit favorizojnë Divjakën, ndërsa prodhimi i tyre mbetet pa treg
Fermerët thonë se nuk janë ata që vendosin çmimin e shalqirit, por tregtarët. Ata shtojnë se importet nga Serbia po ndikojnë negativisht në shitjen e prodhimit vendas. Një tjetër shqetësim është rritja e kostove të prodhimit, sidomos e çmimit të naftës, ndërsa subvencionet, sipas tyre nuk mbulojnë as shpenzimet minimale.
Sipas tyre kjo gjë po detyron shumë familje të braktisin bujqësinë dhe të emigrojnë drejt Greqisë apo Italisë për të siguruar të ardhura.
Fermerët tregojnë se kanë vite që kultivojnë shalqirin, por këtë sezon situata është ndër më të vështirat. Ata tregojnë se këtë vit shalqiri po shitet me 80-90 lekë të vjetra për kilogram, ndërsa për të dalë me fitim çmimi duhet të jetë të paktën 150 lekë.
Sipas tyre për kultivimin e një dynymi me shalqi nevojiten nga 600 deri në 800 mijë lekë të vjetra investim, ndërsa për sipërfaqe më të mëdha shpenzimet arrijnë në miliona lekë.
Ata shtuan se jo vetëm shalqiri, por edhe gruri po shitet me çmime shumë të ulëta duke e bërë gjithnjë e më të vështirë vazhdimin e aktivitetit bujqësor.
Sipas tyre, nëse situata nuk ndryshon shumë prej tyre do të detyrohen të braktisin tokat, pasi siç u shprehën në protestë “bujqësia ka marrë fund.”
