Kryetarja e Bashkisë Eriselda Sefa së bashku me Ministrin e Bujqësisë Andis Salla morën pjesë në “Ditën Fushore” të organizuar në Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Lushnjë, një aktivitet që solli në vëmendje risitë më të fundit në sektorin e bujqësisë.
Gjatë aktivitetit u zhvilluan demonstrime praktike për mbrojtjen biologjike të bimëve, përdorimin e varieteteve të reja të perimeve, teknikat e plehërimit organik si dhe rëndësinë e ruajtjes së resurseve gjenetike. Fermerët dhe specialistët patën mundësinë të njihen nga afër me teknologji dhe metoda bashkëkohore që synojnë rritjen e prodhimit, uljen e kostove dhe mbrojtjen e mjedisit.
Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve kërkimore dhe fermerëve për të përballuar sfidat e bujqësisë moderne. Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Lushnjë vazhdon të mbetet një pikë referimi për zhvillimin e sektorit duke sjellë dije, inovacion dhe praktika të avancuara në shërbim të fermerëve.
Ky institucion luan një rol të rëndësishëm në modernizimin e bujqësisë shqiptare duke ofruar zgjidhje konkrete dhe të qëndrueshme për rritjen e produktivitetit dhe cilësisë së prodhimeve bujqësore. Aktivitete të tilla shërbejnë si një urë lidhëse mes kërkimit shkencor dhe praktikës në terren, në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm të bujqësisë.
