Bojkoti ka vijuar këtë të mërkurë në sistemin gjyqësor, me avokatët që nuk janë paraqitur në seancat e Shkallës së Parë të Gjykatës së Posaçme, ndërsa administrata e Gjykatës së Tiranës ka vijuar protestën për pagat e papaguara.
Sipas burimeve në seancat e Shkallës së Parë të GJKKO-së nuk është paraqitur asnjë avokat mbrojtës. Avokatët po bojkotojnë proceset vetëm në këtë shkallë, ndërsa në Apelin e Posaçëm ata kanë qenë të pranishëm.
Shkak i bojkotit është një rregullore e Gjykatës së Posaçme, për të cilën avokatët pretendojnë se masat e saj strikte cenojnë ushtrimin e profesionit të avokatit. Ndërkohë, edhe administrata e Gjykatës së Tiranës ka vijuar bojkotin e punës për të dytën ditë radhazi, në shenjë proteste për mosmarrjen e pagave të muajit gusht.
Sekretarë gjyqësorë dhe punonjës të shërbimeve kanë ndërprerë punën prej orës 08:00, duke mos kryer shërbimet administrative që lidhen me regjistrimin dhe mbajtjen e seancave gjyqësore. Punonjësit kërkojnë zgjidhjen e situatës së krijuar dhe pagesën e pagave të prapambetura.
Protesta e administratës gjyqësore nisi një ditë më parë, kur punonjësit e Gjykatës së Tiranës dhe Gjykatës së Apelit ndërprenë punën për disa orë.
Sakaq kujtojmë se një ditë më parë, Dhoma Kombëtare e Avokatisë vendosi bojkot të çdo seance në GJKKO derisa shkalla e parë të rishikojë rregulloren. Përjashtim nga bojkoti bëjnë vetëm masat e sigurisë. Ndërkohë, avokatët nuk i kanë bojkotuar gjykatat e tjera, përfshirë edhe Apelin e Posaçëm, pasi këto gjykata kanë publikuar rregullore që nuk e cenon avokatinë.
