Dinamo përmbysi Elbasanin 2-1 në javën e tretë të Superiores, duke marrë fitoren e dytë radhazi në kampionat. Në sfidën tjetër, Tirana siguroi pikët e para të sezonit, pasi mposhti Vorën 4-0 në “Selman Stërmasi”.

Elbasani kaloi i pari në avantazh ndaj Dinamos me Nikajn, por skuadra e Ilir Dajës reagoi dhe përmbysi rezultatin. Hekuran Berisha dhe Lorenzo Vila shënuan për Dinamon, duke i dhënë ekipit kryeqytetas tri pikët.

Me këtë fitore, Dinamo regjistroi suksesin e dytë radhazi dhe ngjitet në vendin e tretë të renditjes, pas tri javësh kampionat.

Për Elbasanin, situata mbetet më e vështirë. Verdheblutë kanë vetëm dy pikë pas tri ndeshjeve, pas dy barazimeve dhe humbjes ndaj Dinamos.

Trajneri Ivan Gvozdenovic e pranoi momentin e vështirë të skuadrës, por u shpreh se ekipi mund ta ndryshojë situatën përmes punës.

Sipas tij, Dinamo ishte më mirë në qarkullimin e topit dhe dy golat e pësuar nga goditjet standarde ndikuan në humbje.

Ndërkohë, Tirana mori fitoren e parë të sezonit me një rezultat të pastër 4-0 ndaj Vorës. Për bardheblutë shënuan Kish, Xhixha dhe Hazrollaj, ky i fundit me dopietë.

Pas tri javëve, Egnatia kryeson kampionatin me pikë të plota, ndërsa Teuta dhe Dinamo ndjekin në vendet pasuese.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds