Të paktën 13 persona kanë humbur jetën si pasojë e tërmetit të fuqishëm me magnitudë 7.1 ballë që goditi ishullin Kyushu, në jugperëndim të Japonisë, të martën. Lajmi u konfirmua nga kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi, e cila bëri të ditur se dëmet janë të mëdha dhe se operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë pa ndërprerje.
“Janë konfirmuar dëme të mëdha, duke përfshirë viktima, ndërtesa të shembura, zjarre dhe dëme në rrugë”, deklaroi Takaichi për mediat.
Autoritetet njoftojnë se disa persona rezultojnë ende të zhdukur, ndërsa ekziston frika se ata mund të jenë bllokuar nën rrënojat e një qendre tregtare që u shemb pjesërisht në Kumamoto, si edhe në një fabrikë letre.
Tërmeti goditi në orën 16:27 sipas kohës lokale, me epiqendër në brendësi të ishullit Kyushu. Pas lëkundjes së fortë, qindra mijëra banorë u urdhëruan të evakuoheshin drejt strehimoreve të përkohshme, ndërsa ekipet e emergjencës vazhdojnë kërkimet në zonat më të goditura.
Infrastruktura ka pësuar dëme të konsiderueshme. Ura janë shembur, ndërsa rrugët dhe segmentet e rrjetit rrugor janë dëmtuar rëndë, duke vështirësuar ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit në disa zona.
Kryeministrja Takaichi tha se autoritetet po vazhdojnë të vlerësojnë shkallën e dëmeve, duke konfirmuar gjithashtu se ka edhe shumë të lënduar.
Ndërkohë, banorët e zonave të prekura përballen me frikën e lëkundjeve të njëpasnjëshme dhe rrezikun e rrëshqitjeve të dheut.
Mes tyre është edhe 75-vjeçarja Hiroko Ogata, pronare e një restoranti në qytetin Yatsushiro të prefekturës Kumamoto, e cila përshkroi momentet dramatike të tërmetit për BBC.
“Papritmas pati një tronditje të madhe dhe u habita e u frikësova. Kam jetuar këtu për 75 vjet, por nuk kam përjetuar kurrë një tërmet kaq të madh. Mendova se do të vdisja”, tha ajo.
Ogata tregoi se u fsheh menjëherë poshtë një tavoline, ndërsa mobiliet lëviznin nga njëra anë në tjetrën dhe enët e kuzhinës binin e thyheshin në dysheme.
Edhe pse restoranti i saj ka pësuar dëmtime, ajo ka nisur pastrimin për ta rikthyer sa më shpejt në funksion.
“I gjithë vendi është në rrëmujë dhe nuk di ku të qëndroj. Por duhet të sigurojmë jetesën duke e rihapur restorantin sa më shpejt. Punoj pak dhe më pas ndodh një tjetër lëkundje pasuese. Gjithçka po ecën shumë ngadalë dhe është jashtëzakonisht stresuese”, u shpreh ajo.
Autoritetet japoneze u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë vigjilentë, pasi ekziston rreziku i lëkundjeve të tjera të forta dhe i rrëshqitjeve të dheut në ditët në vijim.
