Kupa e Botës 2026 që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë pritet të shënojë një rekord historik financiar për FIFA-n. Sipas parashikimeve organizata do të arkëtojë rreth 12 miliardë euro duke e bërë këtë edicion më fitimprurësin në historinë e futbollit.
Shifra përfaqëson një rritje të ndjeshme krahasuar me Botërorin e Katarit në vitin 2022 i cili gjeneroi rreth 6.6 miliardë euro, dhe me Kupën e Botës në Rusi në vitin 2018, me 5.6 miliardë euro të ardhura. Në harkun e vetëm dy cikleve të ardhurat e FIFA-s nga eventi më i madh futbollistik janë pothuajse dyfishuar. Krahasuar me Botërorin e Gjermanisë në vitin 2006, kur u arkëtuan rreth 3 miliardë euro të ardhurat e pritshme për vitin 2026 janë katër herë më të larta.
Rritja lidhet kryesisht me formatin e ri të turneut i cili për herë të parë do të zhvillohet me 48 kombëtare duke sjellë më shumë ndeshje, më shumë qytete pritëse dhe më shumë të drejta transmetimi. Sipas analizave financiare rreth 39% e të ardhurave vijnë nga të drejtat televizive dhe të transmetimit, 28% nga shitja e biletave dhe paketat e mikpritjes, 24% nga sponsorizimet dhe 6% nga licencimet.
Vetëm nga biletat dhe mikpritja FIFA pret të arkëtojë mbi 3 miliardë dollarë, një rritje prej më shumë se 200% krahasuar me rreth 950 milionë dollarët e gjeneruar në Botërorin e Katarit.
Megjithëse është një organizatë jofitimprurëse FIFA pritet të regjistrojë një suficit të konsiderueshëm pas mbulimit të kostove organizative. Sipas vlerësimeve fitimi operacional mund të arrijë në rreth 10 miliardë dollarë të cilat më pas do të investohen në zhvillimin e futbollit dhe do t’u shpërndahen 211 federatave anëtare.
Për edicionin e vitit 2026 është rritur edhe fondi i çmimeve për ekipet pjesëmarrëse. FIFA ka miratuar një fond prej 655 milionë dollarësh rreth 65% më i lartë se fondi prej 440 milionë dollarësh i shpërndarë në Kupën e Botës 2022 duke reflektuar zgjerimin e turneut dhe rritjen e të ardhurave globale.
