Ka shkuar në dy numri i viktimave nga atentati i rëndë i ndodhur mëngjesin e së hënës në lagjen “1 Maji” të Fierit. Pas ekzekutimit të 60-vjeçarit Selami Hasani, i njohur edhe me nofkën “Sel Çami” ka ndërruar jetë në spital edhe nipi i tij, 47-vjeçari Jakup Hasani. Ky i fundit mori tre plumba në trup dhe pavarësisht ndërhyrjes kirurgjikale dhe trajtimit në reanimacion, nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra. Ai ishte baba i dy fëmijëve. Ceremonia mortore për të dy viktimat u zhvillua sot në orën 14:00.
Ndërkohë hetimet për atentatin po zbardhin detaje të reja mbi mënyrën e organizimit dhe mjetet e përdorura nga autorët. Në automjetin tip “Volvo”, i cili u gjet i djegur në zonën e Dërmenasit pas ngjarjes janë sekuestruar katër armë zjarri, tre prej tyre të pajisura me silenciator.
Sipas burimeve automjeti rezulton të jetë vjedhur në Suedi tre vite më parë dhe ka hyrë në Shqipëri në vitin 2023, përmes pikës kufitare të Morinës. Edhe targat e përdorura dyshohet se ishin të falsifikuara, të prodhuara prej materiali plastik dhe të mbivendosura me qëllim shmangien e identifikimit.
Nga hetimet paraprake dyshohet se në automjet ndodheshin katër persona, tre prej të cilëve kanë zbritur dhe janë afruar pranë murit rrethues të banesës së Hasanit, në momentin kur ai po punonte në oborr së bashku me nipin. Autorët kanë hapur zjarr ndaj tyre dhe më pas janë larguar me shpejtësi.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 09:40, në zonën e njohur si “Kodër”. Pak minuta pas atentatit, policia gjeti automjetin e djegur, ndërsa kamerat e sigurisë në zonë kanë ndihmuar grupin hetimor në rindërtimin e lëvizjeve të autorëve. Dyshohet se në atentat janë përdorur edhe dy automjete, ku njëri prej tyre ka shërbyer për mbështetjen dhe largimin e autorëve.
Një nga pistat kryesore të hetimit mbetet ajo e hakmarrjes, për shkak të së kaluarës kriminale të Selami Hasanit. Ai kishte dalë nga burgu më 2 nëntor, pasi kishte vuajtur një dënim prej 25 vitesh për përfshirjen në vrasjen e dyfishtë të Julian Isufajt dhe kambistit Esat Tare, ngjarje e ndodhur në mars të vitit 2002.
Pas atentatit, forcat e policisë kryen kontrolle në banesën e Arben Isufajt, i njohur si “Ben Qimja”, ndërsa disa persona u shoqëruan në komisariat për t’u marrë në pyetje. Hetimet vijojnë për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të atentatit të dyfishtë.




