Mungesa prej 15 vitesh e ujit të pijshëm në Shtyllas të Fierit, ka bërë që banorët e kësaj zone të ndihen njëlloj të diskriminuar si në periudhën komuniste ku regjimi internonte njerëzit nga skaje të ndryshme të vendit. Ata pohojnë të indinjuar se mungesa e këtij shërbimi jetik jo vetëm u ka vështirësuar jetesën e përditshme , por njëherazi u ka rënduar edhe buxhetin familjar pasi për të pirë ata mbushin ujë në Pocem, 45 km larg, duke iu frikësuar cilësisë së ujit të puseve që kanë hapur me shpenzimet e tyre apo të autobotëve.
Pamjet brenda oborreve të shtëpive, me bidona e kova apo depozitat mbi taracat , tregojnë qartë se furnizimi me ujë të pijshëm mbetet problem kryesor. Edhe pse jemi ankuar shpeshherë për këtë problematikë , zgjidhje nuk kemi gjetur dhe as shpresojmë se në rubinetat e cesmave tona do të ketë ujë ndonjëherë thonë ata.
Në Shtyllas pjesa më e madhe e banorëve janë të ardhur nga veriu i vendit. Bashkëjetesa me komunitetin vendas ka qënë tepër miqësore tregojnë ata por politika i ka lënë në mëshirë të fatit.
Ky fshat dikur numëronte rreth 3000 banorë ndërsa sot kanë mbetur rreth 400 , kryesisht të moshuar. Ndërkohë nga informacioni i marrë pranë Drejtorisë së Ujësjellës – Kanalizimeve Fier, u informuam se gjatë periudhës së transferimit të ujësjellësve nga ish- komunat te ujësjellësi qëndror , ujësjellësi i Levanit në atë periudhë ka qënë jofunksional , dhe nuk është transferuar si aset ndaj nuk ka qënë në administrim të ujësjellësit të Fierit asnjëherë.
Përsa i përket këtij viti buxhetor Shoqëria Rajonale e Ujësjellës – Kanalizimeve Fier, ka parashikuar projektimin e të gjitha “ zonave të bardha” ( pa mbulim rrjeti ujësjellës) , ku përfshihet edhe fshati Shtyllas , për të përfshirë në fazën e studimit dhe projektimit të gjitha linjat e ujësjellësit.