Të gjitha kartelat me të dhënat e pasurive të paluajtshme në vend, tashmë janë të hedhura në një sistem elektronik, duke u ndarë nga epoka e regjistrave fizikë të mbajtur me shkrim dore.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka njoftuar se ka përfunduar digjitalizimin e rreth 4.3 milionë kartelave të pasurisë në të gjithë territorin e vendit.
Sipas ASHK, të gjitha kartelat e pasurisë administrohen në format elektronik dhe janë plotësisht të integruara në sistemin kadastral, duke shënuar një transformim të rëndësishëm në mënyrën e administrimit të të dhënave të pronësisë.
ASHK thekson gjithashtu se digjitalizimi i plotë i kartelave do të përshpejtojë trajtimin e aplikimeve, do të reduktojë procedurat manuale dhe do të rrisë efikasitetin administrativ, duke krijuar një bazë më të fortë për ofrimin e shërbimeve të automatizuara për qytetarët dhe bizneset.
“Ky investim një nga objektivat e përcaktuar në Agjendën Kombëtare të Reformave në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian ridimensionon proceset e punës në ASHK, duke mundësuar trajtim më të shpejtë të aplikimeve, reduktim të procedurave manuale, rritje të efikasitetit administrativ dhe zgjerim të mundësive për ofrimin e shërbimeve të automatizuara për qytetarët dhe bizneset.
Çdo kërkesë për pajisje me kartelë pasurie përpunohet tashmë drejtpërdrejt në sistemin elektronik nga specialistët e ASHK-së, pa qenë e nevojshme konsultimi i regjistrave fizikë. Kjo ul ndjeshëm kohën e shqyrtimit të aplikimeve dhe minimizon riskun e gabimeve gjatë përpunimit të të dhënave.
Njëkohësisht, çdo regjistrim apo transaksion mbi pasurinë pasqyrohet menjëherë në regjistrin kadastral elektronik, duke garantuar transparencë, gjurmueshmëri dhe siguri juridike më të lartë për të drejtat e pronësisë.
Përfundimi i digjitalizimit të kartelave të pasurisë përbën një hap të rëndësishëm në modernizimin e administrimit kadastral dhe në përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të Agjendës së Reformave për integrimin evropian. Ky proces krijon bazat për zhvillimin e mëtejshëm të shërbimeve plotësisht digjitale dhe rrit cilësinë, shpejtësinë dhe besueshmërinë e shërbimeve që ASHK ofron për qytetarët dhe biznesin”, theksohet në njoftimin e ASHK.
Çfarë do të ndryshojë për qytetarët?
Regjistër kadastral i plotë në të gjithë territorin e Shqipërisë
Digjitalizimi i plotë dhe përfundimi i regjistrimit fillestar mundëson që çdo pasuri të jetë e identifikuar dhe e regjistruar saktë, duke shmangur mbivendosjet dhe pasaktësitë.
Dokumentacion pronësie i digjitalizuar
Digjitalizimi i arkivës kadastrale siguron ruajtjen dhe administrimin elektronik të dokumentacionit të pronës, duke eliminuar rrezikun e humbjes së dokumenteve, rrit saktësinë e të dhënave dhe lehtëson aksesin e qytetarëve në informacionin e tyre pronësor.
Shërbime më të shpejta dhe më cilësore
Digjitalizimi i proceseve do të ulë ndjeshëm kohën e trajtimit të aplikimeve dhe do të përmirësojë cilësinë e shërbimeve të ofruara për qytetarët.
Shërbime të automatizuara për qytetarët
Një pjesë e shërbimeve ofrohen në mënyrë të automatizuar, pa ndërhyrje njerëzore, duke u gjeneruar menjëherë në llogarinë e qytetarit në portalin e-Albania.
Lehtësim procedurash për biznesin dhe investitorët
Përmirësimi i aksesit në të dhënat kadastrale dhe digjitalizimi i proceseve lehtëson procedurat për bizneset, investitorët dhe grupet e interesit, duke krijuar një klimë më të favorshme për zhvillim ekonomik.
