Zona kodrinore e Lushnjës, ku përfshihen njësitë administrative Dushk, Golem, Ballagat, Hysgjokaj dhe Fier-Shegan ka rreth 90 % të fondit të tokës bujqësore të kultivuar me ullinj të cilët përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave për familjet fermere. Prej afro dy javësh ka nisur vjelja dhe përpunimi i ullirit për vaj.
Megjithatë fermerët e Darsisë përballen me një sërë vështirësish, ku shqetësimi kryesor mbetet mungesa e fuqisë punëtore. Emigrimi i të rinjve ka bërë që në vjelje të angazhohen kryesisht të moshuarit, ndërsa punëtorët e specializuar kërkojnë 40 deri në 50 mijë lekë të vjetra në ditë.
Kostot e krasitjes, spërkatjes, plehërimit dhe shërbimeve të tjera gjatë vitit rëndojnë më tej ekonominë e fermerëve.
Sipas tyre, prodhimi këtë vit është i mbarë, megjithëse ndryshon sipas varieteteve dhe moshës së ullinjve. Ndërkohë, çmimi aktual i vajit varion nga 5 deri në 5.5 mijë lekë të vjetra për litër, dukshëm më i ulët se vitin e kaluar, kur shitej nga 7 deri në 8 mijë lekë.
Për problematikat dhe ecurinë e sezonit flasin fermerët Kujtim Blliku, Veli Hasalla dhe Asbi Hasalla.
Fabrikat e përpunimit në zonë janë të pajisura me teknologji moderne dhe prodhojnë vaj ulliri ekstra të virgjër të cilësisë së lartë. Ato gjithashtu ndihmojnë fermerët në shitjen e produktit, siç shpjegon administratori i fabrikës së vajit, Endi Kuqi.
Parashikimet për këtë sezon flasin për çmime të ulëta, si pasojë e prodhimit të lartë dhe rënies së çmimeve në tregun europian, ku në Greqi dhe Spanjë vaji i ullirit shitet aktualisht rreth 3.3–3.5euro për litër.
