Një 41-vjeçar është vënë në pranga, pasi dyshohet se për dy vjet me radhë ka kanosur një 73-vjeçar, me qëllim për t’i marrë një shumë parash. Sipas policisë, i arrestuari është identifikuar pas hetimeve për rastin dhe rezulton me precedent penal për krime kundër personit.

Policia nuk ka bërë të ditur detaje të tjera mbi shumën e parave që kërkonte 41-vjeçari dhe rrethanat në të cilat janë kryer kanosjet.

Njoftimi i Policisë: Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Pasurisë në DVP Fier, pas një hetimi të kryer me metoda speciale, në vijim të kallëzimit të një 73-vjeçari, i cili ishte kanosur për dhënien e një shume parash, kanë identifikuar dhe arrestuar autorin e dyshuar të rastit, shtetasin:

* I. Sh., 41 vjeç, banues në Vlorë.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, me precedent penal në fushën e krimeve kundër personit, ka kanosur vazhdimisht, që prej vitit 2024, një 73-vjeçar, me qëllim që ky i fundit t’i jepte një shumë parash, të cilën pretendonte se ia kishte borxh djali i tij.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds