Kryeministria italiane Giorgia Meloni do të heqë taksën e qarkullimit për miliona drejtues mjetesh në vend, ndërsa qeveria kërkon mënyra për të rritur mbështetjen përpara zgjedhjeve kombëtare të vitit 2027.
Vendimi për të hequr taksën e qarkullimit për 14,5 milionë makina dhe motoçikleta duke filluar nga viti i ardhshëm pritet t’u kushtojë arkave të shtetit, tashmë të ngarkuara, më shumë se 2,3 miliardë euro.
Kjo masë u njoftua ndërsa koalicioni i saj konservator, i përbërë nga partia e saj Fratelli d’Italia dhe dy parti të tjera, përgatitet për zgjedhjet e përgjithshme që duhet të mbahen deri në vjeshtën e ardhshme.
Koalicioni konservator mbetet prapa qendrës së majtë në sondazhe dhe përballet me presion nga National Future, një parti e re e së djathtës ekstreme e themeluar pak muaj më parë nga ish-gjenerali Roberto Vannaçi, e cila po fiton terren vazhdimisht.
“Ne po heqim një nga taksat që italianët e pëlqejnë më pak dhe po vazhdojmë në rrugën e uljes së barrës fiskale,” tha Meloni. Heqja e taksës së qarkullimit do të mbështesë familjet italiane “që përdorin makina dhe motoçikleta çdo ditë, qoftë për punë, për të çuar fëmijët në shkollë apo për lëvizje të përditshme” shtoi ajo.
Sipas një projekt-dekreti të parë nga agjencia Reuters, përjashtimi do të zbatohet vetëm në vitin 2027 por ministri i ekonomisë, Giancarlo Giorgetti, tha se Roma do të përpiqej ta bënte masën të përhershme.
As Meloni dhe as Giorgetti nuk sqaruan se ku do të gjendeshin fondet e nevojshme për të mbuluar këtë nismë.
Sipas planit të saj më të fundit buxhetor, i cili pritet të përditësohet në javët në vijim, Italia parashikon që borxhi i saj publik të arrijë kulmin në gati 139 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto këtë vit, duke zëvendësuar Greqinë si vendi me më shumë borxhe në zonën euro.
Pas njoftimit të kësaj nisme të fundit, partitë opozitare e akuzuan Melonin për manovra elektorale, në mes të spekulimeve se zgjedhjet mund të mbahen që në prill.
