Bonusi i Bebes ka mbështetur financiarisht mijëra familje shqiptare që prej vitit 2019, por nuk ka arritur të ndryshojë prirjen e fortë rënëse të lindjeve. Me një skemë të përqendruar te pagesa e menjëhershme pas lindjes, Shqipërisë i mungon një mbështetje universale dhe e vazhdueshme për kostot e rritjes së fëmijëve. Emigracioni, pasiguria ekonomike, kostot e jetesës dhe mungesa e shërbimeve të mjaftueshme për familjet e reja e bëjnë krizën demografike shumë më komplekse se sa mund të zgjidhë një çek. Ndërkohë, institucionet konfirmojnë se po shqyrtohen skenarë për ristrukturimin e Bonusit dhe forcimin e mbështetjes për familjet me fëmijë.
Shqipëria e nisi Bonusin e Bebes në vitin 2019 me një formulë të thjeshtë: 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë për të dytin dhe 120 mijë lekë për të tretin dhe çdo fëmijë pas tij. Për binjakët, pagesa është 80 mijë lekë për secilin; për trinjakët dhe lindjet e shumëfishta mbi këtë numër, 120 mijë lekë për secilin.
Masa synon të mbulojë një pjesë të shpenzimeve të para të familjes. Ajo nuk lidhet me të ardhurat dhe rritet sipas rendit të lindjes, pra ka edhe një komponent të qartë nxitës. Por rezultati demografik ka ecur në drejtim të kundërt.
Sipas INSTAT, në vitin 2025 u regjistruan 22,541 lindje, 3.3% më pak se në vitin 2024. Krahasuar me vitin 2015, kur u regjistruan 32,715 lindje, rënia arrin në 31.1%. Edhe në raport me vitin 2019, kur nisi programi dhe u regjistruan rreth 28,600 lindje, tkurrja është mbi 20%.
Kjo nuk provon se bonusi nuk ka ndihmuar asnjë familje; tregon se ai nuk ka qenë në gjendje të ndryshojë prirjen kombëtare.
Numri i lartë i bonuseve në raport me lindjet e regjistruara brenda vendit lidhet edhe me faktin se skema, në vitet e para, përfshinte një masë më të gjerë lindjesh jashtë Shqipërisë dhe me kohën e administrimit të përfitimit.
Në vitin 2023, rregullat u ndryshuan dhe përfitimi u kufizua te prindërit që jetojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Ky korrigjim e orientoi fondin drejt familjeve rezidente, por njëkohësisht ekspozoi edhe më qartë problemin se, Shqipëria mund të financojë një lindje të ndodhur këtu, por nuk e rikthen dot me një çek çiftin që ka vendosur ta ndërtojë jetën jashtë./Monitor
