Me nisjen e sesionit të ri parlamentar, puna ka rinisur edhe në komisionet parlamentare, ku sot në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike është diskutuar ndryshimi i nenit 36 të Marrëveshjes Ndërkombëtare për Vajin e Ullirit dhe Ullinjtë e Tavolinës. Ullinjtë dhe fermerët e Lushnjës ishin në qendër të këtij debatit në Komisionin e Ligjeve.
Kryetari Ulsi Manja pas ironisë me deputetin Korreshi ia dha fjalën Zvministër në Ministrinë e Bujqësisë Fatmir Guri që prezantoi ndryshimet e propozuara në projektligj.
Diskutimi mori një tjetër drejtim pas ndërhyrjes së deputetit të Lushnjës, Saimir Korreshi. Ai iu përgjigj ironisë së Kryetarit Manja dhe shprehu rezerva për projektligjin, duke kërkuar që vëmendja të përqendrohet te problemet konkrete të fermerëve.
Korreshi përmendi dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në ullishte dhe faktin se fermerët nuk janë dëmshpërblyer për këto dëme. Ai solli në vëmendje edhe nisjen e afërt të sezonit të vjeljes së ullirit, duke theksuar se fermerët e Lushnjës përballen me një sërë vështirësish.
Ndërsa ndryshimet në marrëveshjen ndërkombëtare për vajin e ullirit u diskutuan në komision, shqetësimi i ngritur nga deputeti Korreshi e zhvendosi debatin te terreni, ku fermerët presin zgjidhje konkrete për dëmet, prodhimin dhe sezonin e ri të vjeljes.
