Tre automjete janë përfshirë në një aksident të rëndë në rrugën kombëtare Lushnjë-Berat, në afërsi të Kashtbardhës. Si pasojë e përplasjes, dy drejtuesit e mjeteve që janë përplasur kokë më kokë kanë mbetur të plagosur rëndë. Ata janë transportuar në Spitalin e Lushnjës, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Në aksident është përfshirë edhe një automjet i tretë.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë: Rreth orës 16:45, në aksin rrugor “Lushnjë-Berat”, automjeti tip “Mercedez-Benz”, me drejtues shtetasin N. H., 33 vjeç, është përfshirë në një aksident rrugor, me automjetin tip “Fiat”, me drejtues shtetasen E. Sh., 28 vjeçe, si dhe me automjetin tip “Ford”, me drejtues shtetasin E. P., 59 vjeç.
Si pasojë e aksidentit rrugor, janë dëmtuar drejtuesi i automjetit tip “Ford”, shtetasi E. P., i cili, për shkak të gjendjes shëndetësore, do të transportohet në Spitalin e Traumës për ndihmë mjekësore të specializuar, si dhe pasagjerja që ndodhej në këtë automjet, shtetasja A. P., 19 vjeçe, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po kryen veprimet hetimore, për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.
