Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, së bashku me përfaqësues të Entit Rregullator të Energjisë, kanë zhvilluar një vizitë në parkun fotovoltaik të Karavastasë, një prej investimeve më të mëdha në fushën e energjisë së rinovueshme në vend. Qëllimi ishte njohja nga afër me funksionimin, menaxhimin dhe kapacitetet prodhuese të këtij parku.
Gjatë vizitës, përfaqësuesit u informuan mbi teknologjinë e përdorur, proceset e mirëmbajtjes, planet e menaxhimit dhe investimet në sistem. Vëmendje iu kushtua gjithashtu mbrojtjes së biodiversitetit, ndikimit në komunitetin lokal, nismave sociale, si dhe përdorimit të inteligjencës artificiale dhe masave për sigurinë kibernetike.
Deputetët zhvilluan bashkëbisedime me përfaqësuesit e projektit, duke parashtruar pyetje edhe mbi risitë dhe ndryshimet që sjell ligji i ri për energjinë elektrike.
Diversifikimi i burimeve të rinovueshme dhe rritja e kapaciteteve prodhuese mbeten ndër objektivat kryesore të sektorit energjetik. Synimi i vendosur është që deri në vitin 2030 Shqipëria të arrijë të jetë eksportuese neto e energjisë, duke rritur prodhimin vendas dhe duke forcuar sigurinë energjetike të vendit.
