Pas bojkotit në Tiranë, rreth 35 punonjës të administratës së Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Lushnjë kanë bojkotuar sot punën për rreth dy orë.
Punonjësit kërkojnë që t’u kalojë paga e muajit, e cila duhej të ishte marrë më datë 3 shtator.
Sipas tyre, vonesa e pagave lidhet me procesin e shqyrtimit të rritjes së pagave të gjyqtarëve, ndërsa kjo situatë ka sjellë vonesa edhe për administratën e gjykatës.
Bojkoti i sotëm zgjati vetëm dy orë, por punonjësit paralajmërojnë se protesta do të përsëritet edhe në ditët në vijim, deri në momentin që pagat të kalojnë.
Administrata kërkon zgjidhjen e situatës dhe marrjen e pagave që u takojnë, duke shprehur shqetësimin për vonesat në pagesat mujore.
Protesta e administratës gjyqësore nisi një ditë më parë, kur punonjësit e Gjykatës së Tiranës dhe Gjykatës së Apelit ndërprenë punën për disa orë.
